Adriatik Balla 14.05.2015 07:55
Tirana po mbyll një sezon të dështuar, ose të paktën jo në atë lartësi që priste. Mund të quhet tërësisht i dështuar nëse nuk do t’ia dalë mbanë në këto dy javë të mbetura të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Klubi duket tërësisht i pakënaqur me grupin e lojtarëve, të cilëve u dha në fillim besim, por tani sheh që nuk janë në gjendje të bëjnë diferencën në kampionat dhe për të mundësuar fitimin e trofeve sezonin e ardhshëm duhet të bëjë blerje të reja.
Lëvizjet kanë nisur prej ditësh, sidomos pas daljes në media të emrave të sulmuesit Sebino Plaku dhe mbrojtësit Ditmar Bici. Nga ana tjetër, zhgënjimi me stafin mund të pasohet me zgjedhje të një trajneri të huaj. Sipas vetë zyrtarëve të klubit nuk përjashtohet mundësia që trajneri të jetë i huaj. Por një problem më vete gjatë ditëve të fundit është Selemani Ndikumana, sulmuesi nga Burundi që pritej të diskutojë të ardhmen e tij tek klubi 24-herë kampion.
Problemi i Ndikumanës është se nuk ka bindur sa duhet për vazhdimësinë, pra për të qenë në planet e ardhshme të Tiranës. Këtë e vërteton dhe fakti se atij i përmenden shpesh sjelljet jo korrekte në fushë, duke pasur një temperament të shprehur me sjellje agresive, gjë që nuk pranohet në mjedisin bardheblu. Për pasojë klubi duket në mëdyshje, për të shtuar se ka zëra nga zyrtarët e vetë klubit që i mëshojnë më shumë idesë se Tiranës i duhet një sulmues vendas dhe jo një i huaj.
Edhe vetë Ndikumana nuk ka shfaqur interes për të rinovuar kontratën. Të paktën deri tani nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim dhe me mbylljen e kampionatit palët mund të ndahen paqmes, pasi kanë objektiva të kundërt.