AlbanianSport.com 13.05.2015 18:00
ASNN – Dy ditë më parë, në Tiranë u zhvillua Kupa e Shqipërisë në mundje për shkollorë dhe paratërinj në të dy stilet. Edhe kësaj radhe, Teuta në stilin e lirë nuk e diskutoi vendin e parë, duke përsëritur për të 10-in vit radhazi suksesin me paratërinjtë. Duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, trajneri i durrsakëve, Islam Islamaj, për këto dy grupmosha, njëkohësisht mundës i të rriturve te Teuta, tregon punën që bëhet me grupmoshat, elementët premtues, por edhe objektivat e ekipit dhe të tij personale.
“Vendi i parë në Tiranë për shkollorët dhe paratërinjtë ishte tërësisht i merituar, – ka rrëfyer për ai për të përditshmen në fjalë. – U bënë vite që Teuta, përveçse me të rriturit, ka sukses absolut edhe me grupmoshat, gjithnjë në stilin e lirë. Bashkë më profesor Fuat Brahin, ne në Durrës kemi shumë kohë që punojmë me grupmoshat, duke bërë që vit pas viti sukseset të pasojnë njëri-tjetrin. Deri më tani kemi dominuar çdo vit, por mund t’ju them që edhe ekipet e tjera kanë filluar t’i kushtojnë më shumë rëndësi moshave.”
“Vlejnë të përmenden skuadrat e Tiranës dhe Gollobordës, – ka vijuar trajneri durrsak. -Sidoqoftë, ne kemi bindjen që do vazhdojmë të mbetemi protagonistë kryesorë edhe për shumë kohë. Emra të tillë si: Eriglent Prizreni, Paris Karepi, Edison Uku, Sure Vrioni, Hans Mara etj., premtojnë jashtëzakonisht shumë. Momentalisht, në Durrës jemi të përqendruar vetëm te stili i lirë dhe mundësitë infrastrukturore nuk na lejojnë që të fillojmë të stërvisim mundës edhe në stilin greko-romak.”
“Përveç veprimtarive të radhës me moshat dhe të rriturit, personalisht po përgatitem edhe për Lojërat Evropiane të Bakusë, ku bashkë me dy mundës të tjerë, do përfaqësojmë Shqipërinë”, – përfundoi trajneri i durrsakëve të mundjes, Islam Islamaj.