AlbanianSport.com 13.05.2015 12:30
ASNN – Barcelona është mundur 3-2 në “Allianz Arena” nga Bajerni i Mynihut, por falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë është finaliste e Ligës së Kampioneve. Katalanët do të presin në Berlin, skuadrën e kualifikuar nga çifti tjetër gjysmëfinalist, Real Madrid-Juventus.
Bajernit nuk i ka mjaftuar krenaria dhe dëshira për të fituar, për t’u kualifikuar në finalen e Ligës së Kampioneve. Në “Allianz Arena”, skuadra e trajnerit Pep Guardiola ka mundur 3-2 Barcelonën, por vetëm kaq, se në finalen e 6 qershorit në Berlin, do të shkojë gjigandja katalane.
Pas golit shpresëdhënës të Benatia, tredhëmbëshi i mrekullive i Barçës Mesi-Suarez-Nejmar nuk fal. Pikërisht këta tre futbollistë i shuajnë menjëherë shpresat e bavarezëve, falë dy golave të realizuar nga Nejmarit. Golat e Levandovskit dhe Myler në pjesën e dytë vlejnë vetëm nderin e Bajernit.
Për të dytin vit radhazi, rruga e Bajernit të Guardiolës ndërpritet nga skuadrat spanjolle, herën e parë nga Real Madrid i Karlo Ancelotit dhe tashmë nga Barcelona. Kjo është finalja e 8-të në histori për Barçën në Ligën e Kampioneve.