AlbanianSport.com 11.05.2015 08:50
ASNN – Është paragjykuar dhe madje trajtuar padrejtësisht pas fotos së tij me bluzën ku ishte stampuar logoja e UÇK-së, por, me durimin që e karakterizon, dhe shpirtin e paepur, ia ka dalë të ngadhënjejë kundrejt të gjithëve, thjesht duke ia lënë fjalën fushës së lojës. Madje, me golin e shënuar nga goditja e dënimit, Ergys Kaçe ka qenë lojtari më i vlerësuar në Greqi për muajin prill.
“Euro-goli” që i dha fitoren PAOK-ut të Selanikut, ka marrë vlerësime maksimale nga tifozët në rrjetet sociale dhe në sondazhet e shumta që kanë bërë për muajin e kaluar. Mesfushori shqiptar me formën e treguar dhe sidomos me golin e realizuar, ka fituar zemrat e tifozëve që e kanë shpallur si lojtarin e muajit prill. Jo vetëm kaq, por mesfushori kuqezi duket se i ka lënë pas të gjithë problemet që pati në fillim të sezonit.
Kaçe është duke luajtur rregullisht edhe është duke bërë paraqitje pozitive, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të PAOK-ut të Selanikut, si në kampionatin grek, ashtu edhe në Ligën e Evropës. Shtatshkurtri shqiptar ka fituar zemrat e tifozëve, të cilët e kanë votuar aktualisht si lojtarin e dytë për çmimin e muajit aktual, ku portieri i skuadrës së tij e kryeson sondazhin.