AlbanianSport.com 09.05.2015 10:40
ASNN – Ergys Kadiu, trajneri i KS “Ali Demit” tha se e kishin parashikuar një ndeshje të vështirë përballë Vllaznisë, në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë në Futbollin e Sallës, por sipas tij, ishin përgatitur shumë mirë për këtë sfidë. “Arritëm që ta fitonim ndeshjen”, – ka deklaruar ai pasi kryeqytetasit ngadhënjyen 6-3, për të siguruar vendin në finale ndaj Flamurtarit.
“Lojtarët tanë ishin më të qetë dhe zbatuan të gjitha detyrat taktike dhe teknike, gjë e cila solli edhe fitoren, – ka vijuar ai. – Tashmë pas kualifikimit për në finale të Kupës së Shqipërisë shpresojnë që të jemi edhe fitues të këtij trofeu. Vllaznisë i uroj suksese në të ardhmen dhe të vazhdojë të rivalizojë sepse është një ekip shumë i mirë që i duhet kampionatit kombëtar në futbollin e sallës”.
Ndërsa homologu i tij shkodran, trajneri i Vllaznisë, Ardit Behari, u shpreh i zhgënjyer, jo me humbjen, sesa më tepër me gjendjen e ekipit, duke thënë. “Sot nuk luajtëm mirë dhe ndoshta është edhe faji im dhe jo vetëm i futbollistëve. Jam pak i zhgënjyer sepse ishte një humbje e papritur, duke qenë se objektivi ynë ishte të dilnim në finale të Kupës.”
“Këtë sezon e mbyllëm, por për sezonin e ardhshëm nëse nuk gjejmë një sponsor ne nuk do të marrim më pjesë në kampionat sepse gjithçka e kemi bërë me sakrificë dhe shpenzimet tona. Nuk kemi bërë asnjë ditë stërvitje, por vetëm direkt ndeshje, ndaj edhe humbëm sot ndoshta. Nëse askush nuk afrohet për të na mbështetur, atëherë nuk do të grumbullohemi më”, – ka përfunduar Behari.