Nga Altin B. Kodra 07.05.2015 21:40
ASNN – Të lësh Bajernin e Mynihut, edhe pse je shpesh rezervë aty, dhe të largohesh drejt Italisë për t’ju bashkuara një klubi në krizë rezultatesh, loje dhe paraqitjeje, si Interi, ishte një vendim që shumëkush e vuri në diskutim dhe jo të paktë ishin ata që e shprehën edhe nëpër media mendimin e tyre se Xherdan Shaqiri kishte marrë vendimin e gabuar.
Një pritje mbresëlënëse nga tifozët, një debutim i shkëlqyer, me gola dhe pasime për gola, por më pas erdhi rënia e në fund stoli. Kjo ka ndodhur tek Interi me futbollistin gjilanas me pasaportë zvicerane, Xherdan Shaqiri. Mesfushori kosovar është bërë së fundmi problem dhe çështje për “zikaltërit”. Të gjithë pyesin se si ka mundësi që përfaqësuesi zviceran të përfundojë në këtë mënyrë.
Kjo pasi, në fillim, konsiderohej një yll në Milano dhe pritej të bëhej një simbol për Interin e ri. Shaqiri, në fillim kishte lënë shenjë në të gjitha veprimtaritë ku ishte aktivizuar. Kishte dhunuar gol me Interin në kampionat (ndaj Atalantës në Bergamo), në Kupën e Italisë (ndaj Sampdorias) dhe në Ligën e Evropës, ndaj Sëlltikut. Ndërsa tashmë është në stol.
Mesa duket të jesh rezervë tek Bajerni i Mynihut dhe të kthesh kokën e të shohësh se shpesh stolin e ndan me lojtarë që janë kampionë bote, nuk është ndonjë gjë edhe aq keqe. Të paktën jo aq e keqe sesa të zgjedhësh Interin kur të kërkojnë minimalisht klube si Liverpuli….