Adriatik Balla 07.05.2015 20:45
Përballja derbi me Tiranën në kuadër të javës së kaluar, ka ndikuar kryesisht për mirë në radhët e Partizanit sepse u mor një pikë me vlerë por në të njëjtën kohë pati fitore psikologjike të skuadrës së kuqe, pasi frenuan rivalen historike në rrugëtimin e saj drejt titullit. Por, ndërkohë, ka dhe mangësi, që lidhen me dëmtimet e shumta që kanë prekur ekipin e kuq.
Pothuajse gjysma e lojtarëve që zbritën në fushë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” pritet të mungojnë në vizitën e Vlorës për javën e 34-t të Kategorisë Superiore. Kështu Idriz Batha dhe Nderim Nexhipi kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe janë të pezulluar në ndeshjen e radhës, ndërsa Lorenc Trashi, Emiljano Vila dhe Alban Hoxha kanë probleme fizike.
Trashi ka patur nevojë për pushim absolut dhe nuk është stërvitur në seancat e para të javës anti-Flamurtari, ndërsa Vila dhe Hoxha kanë vijuar me terapi për të qenë sa më shpejt në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro. Pezullimet dhe dëmtimet e detyrojnë trajnerit e të kuqve të bëjë ndryshime të shumta në formacion, me Ibrahimin, Bylykbashin, Dajën në mesfushë pse jo edhe me Vatnikajn në sulm, përkrah Raçiçit.
Partizani është i dënuar t’i fitojë të tre takimet e mbetura nëse dëshiron të luajë në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm. Nëse grumbullon 9 pikë të plota, Partizani lë pas në renditje një nga dy rivalët, Tiranën ose Kukësin, çfarëdo që të ndodhë në sfidat e tyre.