AlbanianSport.com 07.05.2015 18:55
ASNN – Jo më kot trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, e patikërkuar me ngulm, por ishte distanca gjeografike ajo që e bëri t’i thotë “jo” në vazhdim fanellës kuqezi. Por çdo ditë e më tepër Besart Berisha po tregon se italiani kishte të drejtë, sepse kosovari vazhdon të shënojë me një rendiment për t’u patur zili.
Sulmuesi kosovar ka ndihmuar ekipin e tij “Melbërn Viktori”, që të marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e “play-off”-it përballë Melbërn Sitit, ndeshje të cilën e fituan 3-0. Berisha ishte ai që realizoi golin e parë të këtij takimi derbi, në minutën e 18-të, duke hapur kështu edhe serinë e golave.
Për të dyfishuar rezultatin mendoi Barbarosis, në minutën e 30-të, dhe, për të vulosur takimin, ishte sulmuesi tjetër Tomspon i cili shënoi golin e tretë në minutën e 87-të. Skuadra e ish-sulmuesit të Kombëtares nga Kosova është shumë pranë kurorëzimit si kampione e Australisë.
Melbërn Viktori, e cila është për herë të parë në këto 5 sezonet e fundit në këtë fazë, tanimë pret të njohë kundërshtarin e finales së madhe të kampionatit australian të futbollit, të njohur ndryshe si “Liga A”, e cila pritet të dalë nga dueli tjetër gjysmëfinal i “play-off”-it, midis Adelajde Junajtid dhe Sidnej FC.