AlbanianSport.com 07.05.2015 13:25
ASNN – Paraqitja e kënaqshme e Kombëtares kuqezi, duket se ka ndikuar edhe në formën e mirë të futbollistëve të saj, si dhe në faktin që një pjesë e mirë e tyre po përfliten gjithnjë e më tepër në merkaton e verës. Një nga këto është Ledian Memushaj është kapiteni i skuadrës së Peskarës, i cili ka rënë në sy për paraqitjet e tij të mira në Serinë B.
Memushaj është bashkuar me Peskarën në fillim të këtij sezoni dhe ka arritur që të bindë jo vetëm drejtuesit e ekipit për ta bërë lider, por edhe menaxherë dhe drejtues të ekipeve të Serisë A. Mesfushori shqiptar ka arritur të bindë me paraqitjet e tij dhe shumë shpejt ai fitoi edhe shiritin e kapitenit në ekipin aktual. Edhe pse vetëm në muajt e parë me Peskarën, Ledian Memushaj është shndërruar në lider të skuadrës.
Me Peskarën ai e ka kaluar numrin dhjetë të paraqitjeve si kapiten i saj. Gjatë këtij sezoni, futbollisti ka arritur që të shënojë edhe katër gola me skuadrën e Serisë B dhe Peskara e mesfushorit shqiptar është në vendin e 8-të, një vend që është i fundit që i jep mundësinë për të luajtur ndeshjet e “play-off”-it, për t’u bërë pjesë e Serisë A në sezonin e ardhshëm.
Mesfushori shqiptar, që ka arritur të fitojë besimin e trajnerit dhe drejtuesve për të mbajtur shiritin e liderit, është përfshirë në listën e lojtarëve që synohen në merkato nga disa skuadra të Serisë A. Me atë që ka treguar në skuadrën e Peskarës, Memushaj ka bindur drejtuesit e Atalantës, Empolit dhe Sampdorias që të interesohen për shërbimet e tij.
Forma e mirë e futbollistit shqiptar në Serinë B, ka bërëqë edhe ekipe që janë pjesë e Serisë A të interesohen për të. Fakt interesant dhe tregues i formës së tij dhe paraqitjeve pozitive, edhe pse në një kategori të dytë dhe jo në nivelin e Serisë A. Edhe pse merkatoja nuk është hapur, zërat e lëvizjeve të mundshme janë bërë publike. Aktualisht, janë tri ekipe të Serisë A, Atalanta, Empoli dhe Sampdoria, që janë të interesuara për futbollistin vlonjat.