AlbanianSport.com 07.05.2015 11:35
ASNN – Kishte kaluar një kohë e gjatë që dhuna në basketbollin kosovar ishte larguar, sidomos incidentet në parket. Por të mërkurën mbrëma ajo është kthyer në mënyrën më të shëmtuar, madje në një ndeshje basketbolli mes femrave.
Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, ndeshja e dytë gjysmëfinale e “play-off”-it të ETC Superligës së Kosovës në Basketboll për Femra, ndërmjet Bashkimit dhe SIGAL Prishtinës, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Prizren është ndërprerë, pasi në parket ka ndodhur një zënkë masive midis lojtareve të të dyja skuadrave.
Përleshja ka zgjatur për dy-tre minuta para se situata të qetësohet dhe të ndërpritet ndeshja. Gjithçka ka ndodhur në çerekun e tretë, dy sekonda para mbylljes së këtij 10-minutëshi, kur rezultati ishte 61-48 në favor të SIGAL Prishtinës, e cila ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në Prishtinë.
Pas një topi të diskutueshëm mes Enisa Ollunit të Bashkimit dhe Donika Rexhepit të Prishtinës ka filluar përleshja, pasi basketbollistja vendase e ka goditur atë mike. Shpejt në përleshje janë përfshirë edhe lojtaret e të dy ekipeve. U panë edhe disa tifozë në parket, që thuhet se ishin të afërm të basketbollisteve të Bashkimit.