AlbanianSport.com 06.05.2015 22:00
ASNN – SIGAL Prishtina ka mposhtur për herë të tretë Yllin në kuadër të ndeshjeve të gjysmëfinaleve të “Play-off”-it në Superligën e Kosovës, për të siguruar kështu kualifikimin në finale, ku do të përballet me Pejën.
Prishtinasit fituan sonte në fushë të huaj, me rezultatin 107-84. Kampionia e saposhpallur ballkanike ishte më i mirë se skuadra nga Suhareka gjatë gjithë takimit, për të vazhduar më tej pas vetëm tri ndeshjeve të zhvilluara.
Prishtina nisi me dominim që në pjesën e parë dhe 20-23 ishte rezultati i çerekut të parë të lojës. Skuadra e trajnerit Marjan Ilievski e thelloi diferencën ndaj Yllit edhe në pjesën e dytë, të cilën e fitoi me shifrat 31-16.
Kjo bëri që të dyja skuadrat të shkojnë në pushimin e ndeshjes me epërsinë 54-37 të bardhekaltërve kryeqytetas. Ndërkohë, në çerekun e tretë dhe të katërt loja ishte më e barabartë.
23-25 në favor të miqve ishte rezultati i pjesës së tretë, ndërsa në të katërtën SIGAL Prishtina fitoi me 3 pikë epërsi, 25-28. Blerim Mazreku i Prishtinës ishte lojtari më rezultativ në këtë ndeshje, ku ai realizoi 29 pikë.