AlbanianSport.com 06.05.2015 19:50
ASNN – Federata Ndërkombëtare e Qitjes (ISSF) e ka pranuar përkohësisht Federatën e Kosovës, që ka vuajtur më shumë se cilado federatë tjetër izolimin ndërkombëtar në këto 16 vjet të pasluftës, atë të Qitjes (FSHK). Lajmin për të përditshmen e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore” e ka bërë të ditur të martën kryetari i FSHK-së, Ali Pllana. Po të martën Pllana ka pranuar një “e-mail” nga zyra e ISSF-së, si konfirmim për këtë pranim.
Në “e-mail”-in që gazeta e ka siguruar, ISSF-ja i bën me dije FSHK-së se qitësit e Kosovës tani e tutje kanë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha garat që i organizon Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane. “Ne e konfirmojmë se kemi marrë të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikimin tuaj në përputhje me rregullat e ISSF-së”, shkruhet në letrën e firmosur nga presidenti i ISSF-së, Olegario Vaskez Rana, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Franc Shrajber.
“Ne do të paraqesim aplikimin tuaj te Komiteti Ekzekutiv dhe përfundimisht te Këshilli Administrativ më 7 dhe 8 shtator 2015 për vendim”, – përfundon shkresa e drejtuesve ndërkombëtarë të qitjes. Me rastin e pranimit të Federatës së Qitjes së Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Shenjëtarisë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala, uron drejtuesit e këtij organizmi dhe gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm të qitjes së Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala ka përgëzuar qitësit e Kosovës, duke iu uruar atyre suksese në avancimin e mëtejmë të këtij sporti në arenën ndërkombëtare. “Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm, që ndihmon dhe përshpejton ndërkombëtarizimin, njohjen dhe afirmimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar ministri Shala dhe është zotuar se MKRS-ja do të mbështesë në vazhdimësi sportin e Kosovës në afirmimin e tij në rrafshin ndërkombëtar.