AlbanianSport.com 06.05.2015 14:25
“Albania Open 2016” do të ngrejë siparin për një tjetër vit duke u konfirmuar si një nga traditat sportive më të rëndësishme të vendit tonë. Që prej 16 vjetësh, parashutistë jo vetëm nga Shqipëria zbarkojnë në bregdetin e Vlorës për të promovuar vlerat sportive dhe turistike të vendit tonë. Sipas asaj që raporton faqja zyrtare në Internet e paketës me pagesë të transmetimeve sportive, “SuperSport”, edicioni i këtij viti nisi pikërisht sot, më 6 maj.
Sipas organizatorit, Alket Islami risitë janë të shumta por më kryesorja është krijimi i një disipline vetëm për femrat. “Surpriza e Albania Open 2015 vjen te shtrirja gjeografike e aktivitetit sepse kthehemi me një etapë në Llogara dhe me tre ditë të tjera në Vlorë, – ka rrëfyer ai për median në fjalë. – Këtë vit, konkurrimi i femrave është shumë më i fortë. Kemi vendosur Kupën “Golden Lady”, që është me një shpërblim shumë të mirë dhe kjo ka afruar disa nga pilotet më të mira të rajonit.”
Numri i pjesëmarrësve është rritur bashkë me cilësinë e garuesve, duke i dhënë një tjetër dimension garës në qiellin e Llogarasë dhe Vlorës. Një nga objektivat është edhe promovimi i turizmit shqiptar dhe Islami e pranon që organizimi i veprimtarisë në zonën e Vlorës ka dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e vlerave turistike. Edicioni i këtij viti dhe ai i 2016-ës janë antipasta e Kampionatit Botëror të vitit 2017 që do të zhvillohet për herë të parë në vendin tonë.
Për Islamin, “Albania Open” është një test gjeneral që do të shërbejë për një organizim sa më perfekt të botërorit. Në fund, ai u ka bërë një thirrje edhe të gjithë të rinjve shqiptarë, shumë prej të cilëve i janë bashkuar në masë sportit të parashutizmit. “I presim të rinjtë që të jenë në ajër sepse ka vend për të gjithë dhe duam që kampionatin tjetër ta kemi më shumë vajza dhe djem të rinj”, – ka thënë Islami. “Albania Open 2015” do të zgjatë 4 ditë dhe do të kulmojë me finalen e madhe në datën 9 maj.