Nga Gjergj Vyshka 05.05.2015 20:55
Edhe tri finale për të siguruar mbijetesën për Teutën dhe Apoloninë. Java e 33-të e Superiores ruajti pozicionet për të dyja skuadrat që vijojnë ethshëm garën për të qëndruar mes më të mirave të futbollit shqiptar. 4 pikë më shumë për durrsakët mund të mos kenë asnjë vlerë nëse ata nuk fitojnë përballjen direkte të javës së parafaundit, që do të luhet në “Niko Dovana”.
Me të drejtë, “Djemtë e Detit” mbeten favoritë nga faktori fushë, por lojërat cilësore të Apolonisë në pjesën e dytë të sezonit, të shoqëruara në disa takime edhe me rezultatet të mira, premtojnë një betejë deri në pikën e fundit të djersës. Si Teuta, ashtu edhe Apolonia, nuk mundën të merrnin pikë në vizitat përkatëse, me Skënderbeun dhe Kukësin, duke e ruajtur në 4 pikë diferencën mes tyre, që mund të ngushtohet pas javës së 34-t.
Teuta do të presë në “Niko Dovana Kukësin, ndërsa Apolonia, Elbasanin. Verilindorët synojnë të mos rrëshqasin në vendin e katërt në Superiore, pozicion që do t’i nxirrte jashtë Evropës nëse Laçi fiton Kupën e Shqipërisë. Për këtë arsye, objektivi i vetëm i formacionit të Radanoviçit në “Niko Dovana” do të jetë fitorja. Në “Loni Papuciu”, Elbasani nuk ka arsye “për t’i prishur punë” skuadrës së Mërgjyshit.
Ndaj parashikohet që diferenca mes Teutës dhe Apolonisë, para përballjes së “Niko Dovanës”, të jetë jo më shumë se 3 pikë. Ky skenar i mundshëm e detyron Teutën ta sigurojë mbijetesën në përballjen direkte, pasi në rast barazimi me pikë gjithçka do të vendosej në javën e fundit me durrsakët që luajnë në fushë të huaj me Tiranën, ndërsa fierakët presin Laçin.