AlbanianSport.com 05.05.2015 14:25
ASNN – Flamurtari në basketboll për të reja u kurorëzua “kampione” për herë të parë në historinë e vet. Vlonjatet, e drejtuara nga trajnerja Elona Hasanaj, mposhtën në finale Apoloninë, me rezultatin përfundimtar 50-47, ndërsa rezultati përfundimtar i ndeshjeve të “play-off”-it final ishte 3-0. “Jam e lumtur që u kurorëzuam “kampione”, – ka deklaruar ish-basketbollistja e mirënjohur vlonjate. – Njëherësh vlerësoj Apoloninë si kundërshtar i fortë, por edhe skuadrat e tjera si Vllaznia, Elbasani, Vlora.” Të rejat e Flamurtarit kanë në përbërje një grup prej 20 vajzash nga mosha 12 deri më 15 vjeç.
Ndërsa skuadra ka 15 basketbolliste të federuara, të cilat bëjnë pjesë edhe në kombëtaret e moshave për femrat. Me Nën-16-vjeçaret janë 4 vajza dhe me Nën-18-vjeçaret 5 vajza, përkatësisht me trajnerët Mitku, Hasanaj dhe Toska. Vajzat e talentuara Kejsi Hasanaj, Dea Hasanaj, Deana Gjoni, Bernarda Islami, Dalenisa Sinorucaj, Fjorda Meçani etj., bëjnë diferencën me lojtaret e skuadrave të tjera.
Trajneri Viron Toska gradualisht aktivizon në ekipin e të rriturave me kohë të plotë ose me pjesë loje të rejat e talentuara si K. Hasanaj, D. Hasanaj dhe Meçanin. “Sigurisht, ky është dhe qëllimi ynë që na shërben si objektiv për të ardhmen. Pra, përgatitjen e brezit të ri për të ruajtur dhe forcuar traditën e mirë në vite të Flamurtarit”, – përfundoi trajneria e të rejave të Flamurtarit, Elona Hasanaj.