AlbanianSport.com 05.05.2015 12:15
ASNN – Premier Liga Ballkanike, një garë e re në basketboll e organizuar nga FIBA, si një zëvendësim i ligës ABA, pritet që shumë shpejtë të ketë edhe klube nga Kosova. Kështu shkruan ditë më parë e përditshmja serbe, “Kurir”, duke u bazuar në burime brenda FIBA-s.
FIBA kërkon me çdo kusht që në këtë garë të marrin pjesë edhe klubet e Kosovës, e cila së fundmi u njoh nga organizmi që qeveris basketbollin botëror. Kjo nuk do të ndodhë në sezonin e parë, por, sipas “Kurir”, pritet të ndodhë nga sezoni i dytë i kësaj veprimtarie.
Objektivi i FIBA-s është që në këtë garë të jetë pjesëmarrëse edhe Kosova, duke e kompletuar një garë me të gjithë shtetet e ish-Jugosllavisë. Pas njohjes së Kosovës, përfshirja e kësaj të fundit në këtë ligë po bëhet me qëllim që të rritet popullariteti i basketbollit në këtë vend.
Ky qëllim i FIBA-s ka përkrahjen e pothuajse të gjithë Federatave pjesëmarrëse, mbi të gjitha nga Maqedonia dhe Mali i Zi. FIBA u kishte paraqitur disa Federatave dhe klubeve konceptin e kësaj lige, por klubet serbe kishin vendosur disa kushte për pjesëmarrje.
Një nga të cilat ishte që FIBA të ofronte një garanci me shkrim për to se klubet nga Kosova nuk do të mund të marrin pjesë në këtë garë në të ardhmen. Por kjo është refuzuar kategorikisht nga organizmi botëror i këtij sporti. Mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të marrë pjesë në këtë Ligë të re Ballkanike