AlbanianSport.com 05.05.2015 10:05
ASNN – Edhe pak më shumë se një muaj ka mbetur deri te fillimi i edicionit të parë të Lojërave Evropiane, që mbahen në Baku të Azerbajxhanit. Kosova do të marrë pjesë në këto lojëra, por pjesëmarrja e saj po shoqërohet me shumë të panjohura.
Shumë gjëra ende nuk dihen, ndonëse Lojërat Evropiane nisin më 12 qershor. Nuk dihet sa sportistë do të marrin pjesë, në cilat disiplina, kur do të udhëtojnë, me çfarë do të udhëtojnë, çka do të veshin, sa do të shpërblehen në rast të suksesit.
Disa prej të panjohurave mund të mësohen të martën, kur do të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
Në njoftimin e MKRS-së nuk janë bërë të ditura detajet e këtij memorandumi, por gazeta e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, ka mësuar se KOK-u ka kërkuar t’i ndahen rreth 700 mijë euro nga MKRS-ja, përkatësisht nga buxheti i Kosovës.