Nga Gjergj Vyshka 04.05.2015 16:10
Bardheblutë kërkojnë fitoren për titullin kampion, të kuqtë duan Ligën e Evropës. Derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana është një histori dashurie dhe pasioni, që e ka zanafillën pas luftës së dytë Botërore, atëherë kur regjimi i asaj kohe vendosi të krijonte skuadrën e ushtrisë, që do të mbante emrin “Partizani”. Tirana ishte themeluar në vitin 1920, pra dy dekada e gjysmë më parë.
Në atë kohë ndoshta ky derbi nuk ishte projektuar për të pushtuar skenën e futbollit tonë, por të qenit dy skuadra të kryeqytetit dhe ndër më cilësoret në Shqipëri e shndërruar këtë përplasje në simbol të antagonizmit sportiv. Më 30 mars të 1947, vetëm pak kohë pasi ishte themeluar, Partizani arriti fitoren më të thellë në derbi me rezultatin 8-0.
Hakmarrja e Tiranës, nëse do mund të quhet e tillë, erdhi thuajse 3 dekada më vonë, pikërisht më 22 Shtator të vitit 1985, me fitoren 7-3 në “Qemal Stafa”, në një sfidë që ka mbetur në kujdesën e tifozëve bardheblu. Ajo që duhet theksuar është fakti se në tre ndeshjet derbi këtë sezon, Tirana ka dalë pa “bereqet”, sepse ka barazuar një herë e më pas është mundur dy herë.
E ky derb vlen shumë për bardheblutë, të cilët nëse do të fitojnë do të mbajnë ritmin e Skënderbeut kryesues për të pritur sfidën direkte të javës së ardhshme me korçarët në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Ndërkohë në kampin e Partizani ka rënë qetësia, kurse të gjithë janë të përqendruar për ta nxjerrë me sukses këtë derbi, si dhe për të fituar e për të vazhduar rrugën e vajtjes në Ligën e Evropës.
Pra një derbi historik, që mbart shumë të papritura sonte.