Gjergj Vyshka 03.05.2015 11:55
Trajneri i emrave të mëdhenj të pishinave tashmë është kthyer në personazh elitë. 47 vjet kontribut në sportin e ujit, mbi 120 rekorde të vendosura nga sportistët e tij. Sulejman Poda është një emër që njihet në trajningun e notit shqiptar. E kjo jo thjesht për atë që vazhdon të bëjë, teksa është rreth të 75-tave, por për të gjithë talentet e notit shqiptar që për 47 vjet ka rritur e ka bërë kampion me duart e tij.
Dhe për të gjithë këtë kontribut të dhënë në sportin shqiptar, ndonëse për Sulejman Podën trofetë nuk kanë munguar asnjëherë, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, më 26 mars 2015 e ka nderuar me titullin Mjeshtër i Madh. E ky titull ka ardhur me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar të dhënë në sportin e notit, si specialist dhe trajner i nivelit të lartë, me një kontribut të madh në përgatitjen bashkëkohore të talenteve të reja, në kualifikimin e sportistëve cilësorë, për arritjen e rezultateve të larta në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare”.
Edhe sot Sulejman Poda, edhe pse rreth të 75-tave, ngjan si djalë i ri. E sheh gjithnjë në majë të biçikletës, me mëngë të shkurtra edhe kur është dimër i ftohtë. Gjithnjë pranë pishinave dhe ujit, ndërsa stërvitja e fëmijëve është pjesë e tij, Madje noti është bërë dhe si familja e tij, ndonëse në jetë është bashkëshort i mirë, por dhe baba shumë i mirë. Por që… me dëshirën e tij nuk ka dashur ta trashëgojë këtë sport tek pjesëtarët e tjerë të familjes së tij…