Gjergj Vyshka 02.05.2015 12:05
Është e sigurt që i mirënjohur Sulejman Poda sot do të jetë pranë pishinës. Sepse tek Kompleksi “Te Stela”do të zhvillohet një takim miqësor mes katër klubesh, që është quajtur “Dita e Sprinteve”. Pra një program garash i kufizuar, por që do të jetë në të gjitha stilet në distancat 50 dhe 100 metra. Gara e cila do të përfshijë notarët e Te Stelës, Tirana Delfina Sport, Partizanit dhe Tradita.
Një veprimtari me gjyqtari, por që fëmijët, edhe duke qenë se janë në prag të veprimtarive ndërkombëtare, kërkojnë të shohin veten se ku janë. Në fakt, Sulejman Podën, për gjithë mjeshtërinë e tij në stërvitjen e notarëve, edhe sot e kërkojnë për konsulencë. E sheh tek stërvit ato fëmijë tek Pishina e “Te Stelës”, por dhe e sheh në bashkëbisedime me miqtë e tij, që janë trajnerë më të rinj se ai në moshë.
Sepse të gjithë kanë nevojë për konsulencën e tij. Sigurisht që ai vlerëson, por dhe korrigjon, ndërsa është specialisti i disatë që vlerëson se në Botërorin e Kazanit në Rusi, që do të mbahet përgjatë periudhës 24 korrik-9 gusht 2015, duhet ta përfaqësojë Shqipërinë, Sidni Hoxha. Përveç kësaj, Poda “qan” edhe mungesën e vaterpolos dhe kërcimit nga trampolina
Dy disiplina që në notin shqiptar nuk ekzistojnë më. E kjo jo për mungesë të infrastrukturës, por ndoshta dhe për shkak të mungesës së njerëzve për t’u marrë me këto disiplina. “Shiko, – thotë Sulejman Poda, – kërcimin nga trampolina ne e kemi bërë gjithmonë. Jo vetëm këtu tek pishinat, por është bërë dhe në Zall-Herr, apo gjithkund tjetër.”
“Pra është disiplinë që njihet nga shqiptarët, sikurse dhe vaterpolo e që duhen kthyer sepse janë dy gjëra që e zbukurojnë sot notin shqiptar”, – ka përfunduar specialisti i mirënjohur Sulejman Poda.