Gjergj Vyshka 02.05.2015 11:15
Korçarët do të presin sot Teutën dhe kanë shansin për thellim të diferencës së pikëve. Bardhekuqtë do të jenë më pas në pritje të përfundimit të derbit Partizani-Tirana. Java e 33-të e Kategorisë Superiore, teksa deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe tre javë, duket se është një shans i artë i Skënderbeut për t’u shkëputur në pikë nga ndjekësit. Sepse korçarët, të cilët janë katër herë kampion të Shqipërisë dhe janë në prag të titullit të tyre të pestë, bëhen gati që sot të hedhin një tjetër hap të sigurt drejt trofeut më të rëndësishëm të sezonit, që është fitimi i kampionatit.
Në javën e 33-të korçarët do të presin në stadiumin “Skënderbeu”, Teutën, me synim thellimin e diferencës me ndjekësen më të afërt, që është Tirana, e cila për të ruajtur hapin me kryesuesit duhet të fitojë të hënën derbin me Partizanin. Në Korçë besojnë se çështja e titullit praktikisht do të vendosët në përfundim të kësaj jave, por formacioni i Mirel Josës e ka të qartë se për të mundur “Djemtë e Detit” kërkohen shumë përqendrim. Teuta ka nevojë emergjente për pikë për objektivin mbijetesë, ndaj do të japë gjithçka për të mos humbur në këtë ndeshje në fushë të huaj.
Edhe precedentët e sezoneve të fundit janë një paralajmërim për korçarët, që gjithmonë kanë hasur vështirësi në përballjet me durrsaket. Në tri përballjet e këtij sezoni, Skënderbeu ka mundur të triumfojë dy herë, në Korçë dhe në Durrës, ndërsa në fazën e parë u kthyen pa pikë nga “Niko Dovana”. Një rrëshqitje këmbë në shtëpi mund të rezultojë fatale për titullin, ndaj drejtuesit e Skënderbeut i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përgatitjes se kësaj sfide, sidomos në anën psikologjike.
Kategoria Superiore
Java e 33-të
(2-4 maj 2015)
Të shtunën:
Elbasani – Vllaznia ora 14:00
Laçi – Flamurtari ora 16:00
Kukësi – Apolonia ora 16:00
Skënderbeu – Teuta ora 19:00
Të hënën:
Partizani – Tirana ora 20:45
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Skënderbeu 32 21 6 5 50-16 69
- Tirana 32 20 6 6 43-21 66
- Kukësi 32 19 6 7 48-22 63
- Partizani 32 19 6 7 35-22 63
- Laçi 32 16 9 7 37-17 57
- Flamurtari 32 10 8 14 27-30 38
- Vllaznia 32 11 4 17 26-36 34
- Teuta 32 8 2 22 26-46 26
- Apolonia 32 6 4 22 13-48 22
- Elbasani 32 4 1 27 17-64 13