AlbanianSport.com 01.05.2015 21:40
ASNN – SIGAL Prishtina është shpallur për herë të parë Kampione e Ballkanit në basketboll për meshkuj, teksa në finale ka mundur bullgarët e Rilskit. Madje e ka fituar ndeshjen në Bullgari, 78-71, ndërkohë që në ndeshjen e parë të luajtur në Pallatin e Sportit të Rinisë në Prishtinë, SIGAL-i pati fituar 74-72.
Ndeshja është ndjekur dhe në shesh nga tifozeria kosovare në Prishtinë, pas së cilës ka shpërthyer festa për këtë triumf historik të kosovarëve për herë të parë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj. Ndërkaq, lojtari më i mirë i Ligës Ballkanike, Dardan Berisha, nuk i ka fshehur emocionet pas suksesit të Sigal Prishtinës në finale.
Gjatë një prononcimi për mediat kosovare, basketbollisti që ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses së Polonisë, deklaroi: “Kurorëzova një ëndërr të madhe, kjo është fitorja më e bukur që kam përjetuar në karrierë. Kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer në këtë aktivitet dhe në fund arritëm të fitonim titullin.”