Gjergj Vyshka 01.05.2015 18:55
Një dokumentar i përgatitur nga “Ora News” ka rrëfyer karrierën e Kreshnik Qatos, që ka nisur në Durrës me trajnerin Hekuran Shkaba, ndërsa më 1992 ai do të ishte kampion i Shqipërisë për të rinj. Nga 1993-shi, deri në 1997-tën në Durrës nën drejtimin e trajnerit Dilaver Çoba do të regjistronte 19 ndeshje dhe 19 fitore. Më 1996-tën në Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve është shpallur si “boksieri më luftarak”. Më pas, më 1997-tën është medalist i artë në “Dorezat e Arta”në Beograd.
Që nga viti 2000 fillon rrugën e boksit profesionist dhe vijnë dalëngadalë edhe titujt dhe sukseset, pasi më 16 tetor 2004 merr dhe titullin e parë atë të kampionit të botës në versionin “WBA International Continental”, teksa mund në Ukrainë rusin Zavgorodni. Më 5 mars 2005 është “kampion bote” në versionin “IBC International”, teksa në Durrës do të mundte çeçenin Rizvan Magomedov.
Sukseset e Qatos do të vijonin me titullin kampion i Anglisë më 2006-tën, teksa do të fitonte në Londër ndaj Sajmon Koverit. Nën kujdesin e Ylli Ndroqit, më 2007-tën, teksa mundte në “Asllan Rusi”, rusin Zajtsev është “kampion Evrope” në versionin “EBU-EU”. Pas një viti, duke mundur portugezin Vitor Sa, është “kampion bote” në versionin “WBF”.
Titull që e mbron plot katër herë, ndërsa ka mundur njëri pas tjetrit amerikanin Estrada, italianin Lixhieri dhe argjentinasin Esteban. Dhe gjithçka e mbyll me titullin e kampionit të Anglisë duke mundur anglezin Mat Hajni. E gjithë kjo karrierë brilante e Qatos ka ardhur për të gjithë përmes dokumentarit të “Ora News”. Ndërkohë Qato për titujt e tij është pritur nga ish-kryeministri Berisha në 2008-tën, ndërsa më 2013-tën presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dorëzuar titullin “Mjeshtër i Madh”.