AlbanianSport.com 25.04.2015 15:10
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Meshkuj vazhdon duelin final dhe Vllaznia ka triumfuar edhe ndeshjen e dytë ndaj Tiranës, me shifrat 65-60. Ballafaqimi i tretë mes dy skuadrave finaliste, Tiranës dhe Vllaznisë, do të luhet të martën e ardhshme në orën 19:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Vllaznia ka hedhur kështu një tjetër hap drejt mbrojtjes së titullit “kampion” në basketboll për meshkuj, pasi e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të duelit final ndaj Tiranës.
Pas suksesit të arritur të martën në kryeqytet ku Vllaznia e drejtuar nga dyshja e trajnerëve Vujaçiç-Gjeçaj mundi Tiranen në Pallatin e Sportit “Asllan Rusit”, kuqeblutë kanë vijuar të mos gabojnë as në Shkodër, duke triumfuar me shifrat 65-60. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 17- 14 në favor të miqve, të cilët, duke fituar edhe atë të dytën, shkojnë në dhomat e zhveshjes në epërsi, në shifrat 28-32. Por Vllaznia ka ndryshuar gjithçka në dy pjesët e tjera, duke e fituar pjesën e tretë 22-17 dhe duke marrë kryesimin në shifrat 50-49.
Që aty, vendasit nuk lëshojnë më, duke e ruajtur epërsinë deri në fund dhe duke fituar me rezultatin 65-60. Ballafaqimi i tretë mes dy skuadrave finaliste, Tiranës dhe Vllaznisë, do të luhet të martën e ardhshme në orën 19:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku, me një fitore tjetër, kuqeblutë shpallen “kampionë” të Shqipërisë. Ndërkohë, në rast të një fitoreje të Tiranes, për të përcaktuar titullin kampion do të luhet ndeshja e katërt në Shkodër të premten e ardhshme po në orën 19:00.