AlbanianSport.com 24.04.2015 14:20
ASNN – Federata Shqiptare e Atletikës ka organizuar veprimtarinë e radhës, Kupën e Shqipërisë. Ashtu si në kampionat, edhe këtë trofe, e fituan Vllaznia për meshkuj e Skënderbeu për femra. Kupa e Shqipërisë në atletikë ka patur si fitues Vllazninë dhe Skënderbeun.
Vetëm një javë më parë këto dy skuadra u shpallën edhe kampione të Shqipërisë duke treguar kështu se janë më të mirat e mbretëreshës së sporteve në vendin tonë. Atletet e Skënderbeut, nën drejtimin e kryetrajnerit Juxhin Çili kanë dominuar në garat e shpejtësisë dhe në kërcim së gjati, ku kanë zënë vendet e para.
Me 71 pikë të grumbulluara në përfundim të konkurrimit, Skënderbeu është renditur në vendin e parë duke lënë Tiranën me 53 pikë në vendin e dytë. Edhe Vllaznia për meshkuj, nuk njeh limite në konkurrim. Nën drejtimin e kryetrajnerit Albert Marashi atletët shkodranë kanë zënë 5 vende të para duke marrë 142 pikë.
Ashtu si për femra edhe në konkurrimin për meshkuj, në vendin e dytë janë renditur atletët e Tiranës që grumbulluan 68 pikë. Atleti më i mirë i Kupës së Shqipërisë, u shpall Gledis Halluni I Vllaznisë, që zuri vendin e parë në kërcim së gjati me rezultatin 7 metra e 36 centimetra.
Ndërsa për femra sportistja më e mirë u shpall Luiza Gega që triumfoi në garën e 1500 metrave.