Gjergj Vyshka 23.04.2015 14:35
“Mendoj që lojtarët meritojnë komplimentet për kualifikimin në finalen e Kupës, – ka deklaruar trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, duke folur pas barazimit 1-1 që skuadra e tij mori në Korçë ndaj Skënderbeut, rezultat ky që i dha vendin në finalen e madhe të 30 majit. – Ishte një ndeshje shumë e vështirë, ne u kthyem në lojë dhe realizuam. Por kjo është vetëm një finale, finalen tjetër e kemi ditën e diel po ashtu me Skënderbeun.”
“Ne kemi një skuadër, kemi zëvendësues në të gjithë pozicionet, – ka vijuar shqiptari nga Maqedonia. – Kështu në çdo moment kur kemi probleme secili mund të zëre vendin në fushë. Jemi të kënaqur me kualifikimin, që ia bëmë dhuratë presidentit Safet Gjici për datëlindje.” Ndërsa homologu i tij, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, vajtoi shpirtin e tepruar të skuadrës së tij për lojë të ndershme në momentin e golit të kukësianëve.
“Deri në momentin që Pejiç na shënoi golin e barazimit skuadra funksionoi shumë mirë, – ka deklaruar ai. – Edhe pas pësimit të golit ishim të kujdesshëm në lojë. Por në momentin që pësuam golin nga ana e Kukësit, skuadra pati çekuilibrim. Duhej të ishim pak më të qartë që të depërtonim në zonën e Kukësit, pasi kishim 65 minuta lojë në favor.”
“Goli në Kukës ishte komplet i ndryshëm nga ai i sotmi, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit korçar. – Pasi në Kukës ishte gabim, duke pasur parasysh mënyrën se si u zhvillua faza e golit, ndërsa i ai këtu ishte më shumë nga përkujdesja që patën lojtarët për të mos shkaktuar faulle. Duhet të fokusohemi tani tek Kampionati, pasi na pret një ndeshje e vështirë në Kukës.”