AlbanianSport.com 23.04.2015 13:45
ASNN – Një gol i Sokol Cikalleshit i dha finalen e Kupës së Kroacisë, RNK Splitit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që është shënuesi më i mirë i ekipit të tij këtë sezon futbollistik, ishte autor i golit të fitores në derbin e qytetit, që ishte njëkohësisht dhe gjysmëfinalja e kthimit për Kupën.
Në minutën e 42-të, ekipi i RNK fitoi një 11-metërsh, të cilën Cikalleshi nuk e gaboi duke e dërguar topin në rrjetë. Epërsia e krijuar nga Cikalleshi u ruajt deri në fund nga ana e RNK-së që siguroi dhe finalen e Kupës së Kroacisë, ku do të kërkojë të fitojë trofeun e parë në historinë e tij.
Ky ishte goli i 12-të sezonal në Kroaci për Cikalleshin. Ndërkohë, sulmuesi tjetër i Kombëtares, Bekim Balaj i Rijekës, edhe pse ka luajtur 90 minuta, nuk ka mundur ta dërgojë skuadrën në finalen e Kupës, ndërsa përfundimi i ndeshjes me Dinamon e Zagrebit ka dhënë shifrat e bardha, 0-0.
Dinamo u kualifikua për në finale, sepse kishte fituar ndeshjen e parë 2-1, ndërsa Balaj nuk pati fatin e Cikalleshit të shënonte dhe ta çonte Rijekën në finale.