Gjergj Vyshka 23.04.2015 11:15
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Laçit, Armando Cungu, kritikoi skuadrën e tij, pavarësisht suksesit ndaj Tiranës dhe kualifikimit për në Kupën e Shqipërisë. “Ishte shumë e vështirë, – ka deklaruar ai. – Duhet të jesh i kujdesshëm dhe të mos nxitohesh për të shënuar.”
“Pas daljes së Ndikumanës lojtarët menduan se e fituam ndeshjen dhe lëshuan terren, – ka vijuar shkodrani i stolit laçjan. – Ndikoi mungesa e Cetkovic, prandaj nuk dhamë maksimumin në fushën e lojës. Ne do të shikojmë përpara në kampionat dhe do ta provojmë objektivin evropian në te dyja frontet. Jemi sa afër dhe po aq larg.”
Ndërkaq, ka qenë mjaft i ashpër dhe i drejtpërdrejtë homologu i tij bardheblu, trajneri i Tiranës, Gugash Magani. “Rezultatin e ndeshjes e vendosën të tre gjyqtarët, – ka deklaruar ai. – Kartoni i kuq, nëse ishte, ishte për të dy lojtarët. Kemi luajtur 75 minuta me një lojtar më pak dhe e dominuam kundërshtarin.”
“Në momentin e golit nuk ishte goditje këndi, – ka vijuar peqinasi i stolit të gjigandes kryeqytetase. – Gjyqtari ishte kamikaz dhe për këtë jam i bindur. Ne do vazhdojmë punën tonë deri në fund sepse jemi ende në garë për titullin. Gjendja psikologjike është shumë e mirë.
“Por ajo që më demotivon është pandershmëria e gjykimit në ndeshjen e sotme. Gjyqtari nuk punoi me një standart, por me dy standarde”, – ka përfunduar trajneri i Tiranës, Gugash Magani.