AlbanianSport.com 23.04.2015 10:25
ASNN – Bajerni i Mynihut, Barcelona, Reali i Madridit dhe Juventusi janë 4 skuadrat që do të vazhdojnë më tej betejën për trofeun më prestigjioz të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve. Shorti i gjysmëfinaleve hidhet të premten në mesditë në Nion të Zvicrës, ndërsa ndeshjet e para do të luhen më 5 dhe 6 maj dhe ato të kthimit më 12 dhe 13 maj 2015.
Janë luajtur të mërkurën ndeshjet e kthimit të Ligës së Kampioneve dhe Reali i Madridit dhe Juventusi janë dy skuadrat e tjera që plotësojnë 4-shen që do të vazhdojë më tej betejën për vendin në finalen e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës, Ligës së Kampioneve.
E ndërsa e marta ishte nata e golave të shumtë, pasi Bajerni i Mynihut dhe Barcelona shënuan plot 8 gola së bashku, e mërkura ishte një mbrëmje shterpë, pasi, në derbin madrilen të kthimit, Reali arriti të gjente vetëm një gol, dhe atë në minutat e fundit dhe ndaj një kundërshtari të mbetur me 10 lojtarë, kurse Juventusi u kualifikua falë atij goli të shënuar në ndeshjen e parë ndaj francezëve, pasi ndeshja e kthimit, e luajtur mbrëmë në fushën e Monakos, u mbyll me rrjeta të paprekura.
Në derbin e kryeqytetit spanjoll, Reali dhe Atletiko luftuan “dhëmb për dhëmb” në takimin e zhvilluar në “Santiago Bernabeu”, por janë vendasit, që duke përfituar edhe nga dalja e turkut Arda Turan me karton të kuq, gjejnë golin e fitores dy minuta para fundit, me anë të Havier Hernandezit.
Kështu, Bajerni i Mynihut, Barcelona, Reali i Madridit dhe Juventusi janë 4 skuadrat që do të vazhdojnë më tej betejën për trofeun e Ligës së Kampioneve. Shorti i gjysmëfinaleve hidhet të premten në mesditë në Nion të Zvicrës, ndërsa ndeshjet e para do të luhen më 5 dhe 6 maj dhe ato të kthimit më 12 dhe 13 maj 2015.