Gjergj Vyshka 23.04.2015 09:35
Laçi është në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe suksesi për skuadrën e Armando Cungut ka një emër që është Xhejms Adeniji. Tirana eliminohet kështu duke humbur mundësinë për të mos e mbyllur sezonin pa asnjë trofe. Skuadra e Maganit u mund 1-0 në vizitën kurbinase, atje ku bardhezinjtë u mjaftuan me një gol të Xhejmsit për të gjetur rrugën e suksesit.
Minutat e para kaluan të qeta deri në të 17-tën kur një vendim i gjyqtarit Bardhyl Pashaji, që do të krijojë polemika, la me 10 lojtarë skuadrën e Tiranës. Në një përplasje fizike mes Olsi Teqjas dhe Selemani Ndikumanës, ky i fundit u ndëshkua me të kuq, ndërsa mbrojtësi laçjan me karton të verdhë. Pas këtij episodi, Laçi hodhi sytë nga sulmi dhe në minutën e 21-të Xhejms bëri gjithçka mirë.
Por finalizimi i tij në kufijtë e zonës së rreptësisë gjeti grushtet e portierit Bakaj. Por kur të gjithë besonin te ofensiva e kurbinasve, Tirana u imponua me bindje duke dominuar kundërshtarin në çdo aspekt. Në minutën e 27-të, Bulku harkoi në zonë, por Bakaj nuk arriti të shënjestroi si duhet portën. Tre minuta më pas sulmuesi i Tiranës kontrolloi një top në zonën e Laçit, por goditja e tij la për të dëshiruar.
Curri ishte shumë pranë golit pas krosimit të Bulkut, por pa rrezik për kurbinasit. Një tjetër goditje me kokë e dhuroi Muça, por edhe qendërmbrojtësi tjetër i bardhebluve nuk arriti të shënonte golin e parë. Në sekondat e fundit të kësaj pjese, Muzaka la fushën e lojës i dëmtuar, pas një përplasje me Olsi Teqjen, duke ia lënë vendin Kalarit. Me fillimin e fraksionit të dytë, Xhejms kërcënoi sërish në minutën e 51-të.
Por e djathta e tij qethi traun e portës së mbrojtur nga Bakaj. Nigeriani mbeti rreziku kryesor në prapavijën bardheblu, duke kërcënuar sërish 7 minuta më pas. Dhe në minutën e 62- të, ai e gjeti rrugën e rrjetës, duke i kaluar vendasit në epërsi. Tirana shton forcat sulmuese, por është e pafuqishme dhe në përfundim Laçi është finalist i Kupës së Shqipërisë.