AlbanianSport.com 22.04.2015 21:45
Barazimi ndaj Kukësit e ka larguar Partizanin nga kreu i renditjes, duke ulur shpresat e të kuqve për të rikthyer titullin, i cili mungon që nga viti 1993. 15 herë kampionët tashmë e shohin veten 6 pikë larg kreut dhe duket që objektivi final mbetet pjesëmarrja në Kupa e Evropës, një fakt i pranuar edhe nga trajneri Shpëtim Duro në përfundim të sfidës me Kukësin.
Megjithatë duket që shpresat, edhe pse janë zbehur, nuk janë zhdukur përfundimisht tek të kuqtë, çka konfirmohet nga mbrojtësi Labinot Ibrahimi.“Sa të na lejojë matematika ne do të shpresojmë dhe të japim maksimumin, – ka deklaruar ai. – Nuk do të dorëzohemi deri në fund.” Megjithatë edhe pse matematika i mban në lojë, 27-vjeçari e kupton që të arrish tek titulli duhet një mrekulli.
Për këtë arsye mbrojtësi qëndron në sinkron me trajnerin kur evidenton si objektivin kryesor pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. “Shpresojmë të arrijmë qëllimin për të luajtur në Kupat e Evropës, – ka thënë Ibrahimi. – Çdo hap fals na largon nga ky objektiv”. Ndërkaq, fundjava rezervon një vizitë të vështirë në “Niko Dovana” të Durrësit ndaj Teutës.
“Djemtë e detit” luajnë për të siguruar mbijetesën dhe një kundërshtar i tillë nuk është aspak komod. Ibrahimi lëshon apelin për skuadrën dhe tifozët duke u shfaqur optimist për rikthimin tek fitorja. “Është një vizitë e vështirë, pasi Teuta nuk ka çfarë të humbasë. Kam besim tek ekipi dhe me ndihmën e tifozëve do të marrim tre pikët”, – ka përfunduar mbrojtësi i Partizanit, Labinot Ibrahimi.