Gjergj Vyshka 22.04.2015 15:55
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kapitenit të Elbasanit, Ganiol Kaçuli, i cili është dënuar 6 muaj për komplotim dhe influencim të rezultatit në ndeshjen e 16 marsit 2015 mes Partizanit e Elbasanit, 4-1 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Sipas Kaçuli, vendimi i Komisionit të Etikës në FSHF jo vetëm që është absurd, por mbi të gjitha të zhgënjen kur në fakt kapen të gjithë mbas atyre që janë në fushën e lojës. “Më duket shumë absurd si vendim, – thotë Kaçuli, – sepse ne po mundohemi të luajmë me forcat tona, teksa jemi skuadra më e re në moshë në Kategorinë Superiore.”
“Të gjithë u duket çudi se si mund të na mundin skuadrat e kreut të elitës së futbollit shqiptar, – ka vijuar ai. – Që do të thotë se tani kemi frikë jo vetëm të luajmë, por dhe të lëndohemi, apo të dëmtohemi, sepse na dënojnë direkt. Më vjen keq që kështu kapen vetëm pas lojtarëve për këto gjëra.” Ndërkohë Kaçuli pranon që e kanë thirrur në Komisionin e Etikës, ndërsa ka dhënë shpjegimet e tij në lidhje me ndeshjen Partizani-Elbasani 4-1. Në fakt në atë ndeshje në pjesën e parë verdheblutë kanë qenë në epërsi 1-0 e më pas në të dytën janë shthurur dhe kanë pësuar katër gola.
Dhe për këtë gjë që ka ndodhur në atë ndeshje, Kaçuli për Gazetën “Telegraf”do të deklaronte: “Ne në atë ndeshje kemi hyrë që në minutën e parë e deri në fund të motivuar për të arritur rezultatin pozitiv, edhe pse e dinim se përballë kishim një skuadër të fortë. Në pjesën e dytë ne kemi pësuar një gol të shpejtë, që ishte i barazimit dhe më pas skuadra u shpërqendrua për të mos thënë që u shthur totalisht. Kemi pësuar dhe dy gola të tjerë e për rrjedhojë e humbëm atë ndeshje. Mos harroni që jemi një skuadër me moshën mesatare 22-23 vjeç dhe të luash me ekipe me eksperiencë është e vështirë.”
“Më vjen çudi me këto vendime të kota dhe absurde të Komisionit të Etikës, ndërsa jam vërtetë i zhgënjyer”, – ka theksuar kapiteni i Elbasani, i cili ka pranuar se do ta apelojë vendimin. “Sigurisht që po, sepse duke e ditur që jam i pafajshëm do ta kërkojë deri në fund të drejtën time. Nuk kam pse të mërzitem përderisa e di se në çfarë vendi jetojmë dhe në çfarë futbolli luajmë”, – ka përfunduar reagimin e tij futbollisti i verdhebluve, Ganiol Kaçuli.