AlbanianSport.com 22.04.2015 13:25
ASNN – Bajerni i Mynihut dhe Barcelona janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Ligës së Kampioneve, ndërsa dy skuadrat e tjera pritet të njihen sonte kur të luhen ndeshjet e kthimit të çifteve Atletiko Madrid-Real Madrid dhe Monako-Juventus. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka luajtur të martën ndeshjet e kthimit të dy çifteve të para çerekfinaliste dhe, sikundër pritej, Barcelona ka kryer formalitetin.
Ndërsa Bajerni i Mynihut ka përmbysur humbjen e ndeshjes së parë, duke shpartalluar Porton me rezultatin tenistik 6-1. Në “Nou Kamp”, ka menduar braziliani Nejmar, i cili ka shënuar dy herë brenda gjysmëorës së parë, për të vulosur një fitore 2-0 ndaj Paris SG-së dhe, bashkë me të, kualifikimin e pritshëm të katalanëve.
Ndërkohë, Bajerni i Mynihut ka dëshmuar se ajo humbje 1-3 e pësuar në Portugali para një jave ka qenë thjesht “një ditë e keqe”, pasi ka shpartalluar Porton me rezultatin e thellë 6-1. Çdo dyshim që ndokush mund të kishte patur për eliminimin e bavarezëve, ka nisur të davaritet në minutën e 14-të të takimit, kur Alkantara gjeti golin e parë për gjermanët, dhe është fashitur plotësisht 26 minuta më pas, pasi Boatengu, Levandovski, Myleri dhe sërish Levandovski, e kanë çuar në 5-0 rezultatin, duke e mbyllur praktikisht çështjen e kualifikimit.
Në pjesën e dytë, Porto gjen një gol ngushëllimi, por fitorja e Bajernit do të vuloset 2 minuta para fundit, kur Alonso do të ekzekutojë mjeshtërisht një goditje të lirë dhe do të përshendesë rrjetën. Ndërkohë, sonte luhen ndeshjet e kthimit të dy çifteve të tjera, ku gjithçka është e hapur përsa i përket kualifikimit.
Juventusi shkon në Francë me një epërsi minimale nga ndeshja e parë me Monakon, ndërsa derbi madrilen, midis Atletikos dhe Realit, praktikisht nis nga fillimi, pasi ndeshja e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura.