AlbanianSport.com 22.04.2015 12:35
Për të fituar trofeun duhet të mposhtësh më të fortin. Për Kukësin ka ardhur ora e së vërtetës, pasi verilindorët kanë llogaritë e hapura me Skënderbeun për sfidën e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.
Kampionët e dimrit, të cilët janë në elitën e futbollit shqiptar për të tretin sezon radhazi, kanë vuajtur faktin që mbi krye kanë pasur gjithmonë Skënderbeun dhe për ironi të fatit këtë fund sezoni kanë mundësinë të thyejnë hegjemoninë e kampionëve, si në kampionat, ashtu dhe në Kupë.
Nëse në garën për titull mundësitë nuk janë shumë të mëdha nuk rezulton diçka e tillë në Kupë, pasi ndeshja e parë ka dhuruar një rezultat të mirë për Kukësin me fitoren minimale 1-0.
Progresi i bluve nga verilindja e vendit në këtë turne është i dukshëm, pasi dy sezone më parë u eliminuan nga Laçi në gjysmëfinale. Në sezonin e kaluar humbën finalen me Flamurtarin dhe në rrjedhë logjike, për ata që besojnë tek shifrat, ky mund të konsiderohet si viti i tyre në trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.
Sigurisht që Skënderbeu, pavarësisht dominimit në futbollin shqiptar në vitet e fundit, nuk ka bërë mirë në Kupë, por për skuadrën e Artim Shaqirit ky mbetet testi i sezonit, pasi vetëm pak ditë pas sfidës së Kupës ndaj kampionëve do të vijë dhe përballja e kampionatit.
Kukësi gjendet në udhëkryq në pikun sezonal dhe të gjitha rrugët drejt suksesit kalojnë nga përballja me Skënderbeun.