Gjergj Vyshka 22.04.2015 10:55
Vendimi i Komisionit të Etikës ka sjellë reagimin e klubit të Partizanit, që ka reaguar ër dënimin e futbollistit Muskaj për influencim të rezultatit të ndeshjes Laçi-Partizani 3-0, e 18 shkurtit të këtij viti.
Zëdhënësi i klubit të kuq, Olsi Ranxhi, ka theksuar se është njohur për këtë vendim nëpërmjet mediave, ndërsa, sipas tij, klubi i Partizanit e cilëson një padrejtësi dënimin e Muskajt.
Klubi i Partizanit është i vendosur për t’i vajtur deri në fund kësaj çështjeje dhe do ta apelojë vendimin e Etikës. Gjithashtu zëdhënësi i Partizanit ka bërë me dije se Komisioni Etikës nuk ka kërkuar asnjëherë nga Muskaj që të dëshmojë lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë që në dy raste kur dy futbollistë të tjerë të Partizanit janë thirrur nga Etika, dëshmia e tyre ka qenë për një tjetër ndeshje dhe jo për sfidën e Kupës mes Laçit dhe Partizanit.