Gjergj Vyshka 22.04.2015 10:05
Sot gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Korçarët presin të sfidojnë verilindorët me të cilët do të luajnë dy herë këtë javë. Nga Kukësi te Kukësi. Skënderbeu do të ndeshet dy herë brenda pak ditësh me skuadrën veriore ndaj së cilës do të luajë një pjesë të madhe të sezonit mes Kupës e kampionatit. Mesjava është arena e trofeut të dytë sezonal dhe kampionët kërkojnë që këtë vit të mos lëshojnë terren.
Gjysmëfinalja e parë u vendos nga një gol i Pero Pejiç, por akti i dytë do të zbulojë emrin e skuadrës finaliste me korçarët, që do të kërkojnë të shënojnë të paktën një gol për të qëndruar në lojë. “Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë gol sepse do të kemi në dispozicion 90 minuta për të shënuar, – ka thënë Josa në konferencën e djeshme për shtyp. – Edhe nëse rezultati do të jetë në favorin tonë nuk duhet ta lejojmë Kukësin të sulmojë. Kjo është një sfidë shumë delikate.”
Dëmtimet janë kryefjala e ditës në kampin e bardhekuqve, megjithëse ndaj Partizanit treguan se janë ende një grup i fortë pavarësisht mungesave.“Me mungesat jemi mësuar tashmë, por edhe ndaj Partizanit skuadra tregoi se lojtarët që mungojnë nuk ndikojnë në lojën tonë”, – theksoi kreu i pankinës së bardhekuqve. Në fund, trajneri kryeqytetas i kampionëve nuk pranoi të bënte një parashikim për këtë sfidë, duke lënë të nënkuptohej se gjithçka ishte e hapur.