AlbanianSport.com 20.04.2015 16:50
ASNN – Flamurtari-Tirana do të ndeshen për titullin “kampion” në futbollin e sallës. Në gjysmëfinalen e parë, Flamurtari ka mundur me rezultatin e përgjithshëm 3-1 skuadrën e Vllaznisë në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” të qytetit të Elbasanit. Në një ndeshje të bukur dhe emocionuese, djemtë që drejtohen nga Mario Kalus kanë qenë më të saktë në lojë dhe në tërësi e kanë dominuar atë, sidomos në pjesën e parë që shënojnë edhe të tre golat.
Që në minutën e 4-t është Koçiraj ai që kalon në avantazh vlonjatët, pas një presioni të vazhdueshëm në portën shkodrane. Loja bëhet interesante, me djemtë e Vllaznisë që mundohen të barazojnë, por do të jenë sërish ata të Flamurtarit që do të dyfishojnë shifrat. Kësaj here është Gurzakoviç në minutën e 8-të që do të realizojë dhe Flamurtari tani udhëheq 2-0. Mirëpo, tri minuta më pas është po ky futbollist që shënon të dytin personal dhe të tretin për skuadrën, duke vulosur në njëfarë mënyre edhe fitoren.
Pjesa e parë mbyllet në këto shifra, ndërsa në të dytën shkodranët hyjnë me idenë se nuk kanë më se çfarë të humbasin dhe hidhen në sulm. Nga ana tjetër, vlonjatët administrojnë lojën me kujdes, edhe pse nuk mungojnë zbritjet e rrezikshme nga ana e tyre në sulm. Goli i vetëm për skuadrën e Vllaznisë do të shënohej nga Meta në minutën e 33-të, por që në fund nuk shërbeu për skuadrën, sepse tre golat e kundërshtarëve e bënë të pavlefshme këtë rrjetë.
Përpos përpjekjeve të të dyja skuadrave, mbyllet gjithçka në shifrat 3- 1 për Flamurtarin.