AlbanianSport.com 18.04.2015 14:20
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër në faqen e saj zyrtare në Internet, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë të Zvicrës ka njoftuar se vendimin lidhur me apelin e Federatës Shqiptare të Futbollit për ndeshjen me Serbinë do të jepet para datës 13 qershor 2015.
Në një njoftim zyrtar thuhet se, vendimi do të publikohet përpara ndeshjeve të grupit I, në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016. “Aktualisht jemi në procesin e hartimit të draftit përfundimtar”, ka njoftuar KAS. Ndeshja Serbi-Shqipëri, që po luhej në stadiumin e Beogradit më 14 tetor 2014, u ndërpre për shkak të dhunës së tifozëve serbë.
Në përballjen e parë në arbitrazh mes dy federatave, UEFA vendosi në favor të Serbisë duke i dhënë asaj 3 pikë për ndeshjen. Një ditë më parë, në selinë e gjykatës në Lozanë dëshmuan trajneri i kombëtares shqiptare Xhovani De Biazi dhe kapiteni Lorik Cana.