Gjergj Vyshka 18.04.2015 13:25
Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë, e drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç, është grumbulluar që dje në Durrës, teksa përgatitet për të marrë pjesë në një turne miqësor në Austri, i cili nis më 24 prill dhe përfundon më 1 maj.
Sipas kalendarit, që është zyrtarizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në faqen e saj në internet, më 25 prill, në ora 15:00, Shqipëria e Nën-17-vjeçarëve do të jetë përballë bashkëmoshatarëve të Meksikës.
Një ditë më pas, po në ora 15:00, skuadra e Mustedanagiçit do të luajë me vendësit e Austrisë, kurse më 27 prill 2015, në ora 17:00 do të jetë përballë Brazilit në një përballje luksi.
Nuk duhet harruar që më 17 dhe 19 mars, në Tiranë e Durrës, kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve e Shqipërisë ka pasur dy përballje me Nën-15-vjeçarët e Italisë, teksa është mundur 1-3 dhe ka barazuar 0-0.
Dhe për këto tre ndeshje miqësore, Xhemal Mustedanagiç ka thirrur: Everest Braçe (Skënderbeu), Lirim Kastrati (Roma – Itali), Kristian Ndoj (AF Brians), Anio Poçi (Aris Selanik – Greqi), Arman Sykaj (Juventus – Itali), Stefan Abara (Olimpiakos – Greqi), Vangjel Gjerko (Skënderbeu), Geron Toça (Iraklis – Greqi), Sokol Ymeraj (Apolonia), Frenci Qerosi (Inter – Itali), Vendi Mara (Skënderbeu), Eni Xhafaj (Olimpiakos – Greqi), Dionis Çikani (Panathinaikos – Greqi), Spiro Biraku (Apollon – Greqi), Igli Doko (Panathinaikos – Greqi), Sauro Selimi (Specia – Itali), Esat Kalaja (Bolonja – Itali), Ismet Sinani (Milan – Itali), Shaban Gashi (Torino – Itali), Ledion Selahi (Anderleht – Itali), Marash Kumbulla (Verona – Itali), Kristi Kullaj (Zulte Varegem – Belgjikë), Fatlum Kurtulaj (Vllaznia), Amer Duka (Teuta).