AlbanianSport.com 14.04.2015 23:15
ASNN – Xherdan Shaqiri kërkon fitore në derbin e parë të tij në Itali dhe lëshon kushtrimin: “Dua të jem në fushë kundër Milanit”. Në fakt, debutimi i tij në kampionatin italian të futbollit ishte i shkëlqyer. Më pas dëmtimet dhe forma e dobët e Interit lanë në hije Xherdan Shaqirin.
Por sulmuesi me origjinë shqiptare i përfaqësueses zvicerane nuk dorëzohet dhe kërkon fitore në sfidën më të rëndësishme për tifozët interistë, në derbin e së dielës kundër rivalëve të përjetshëm të Milanit. “E kam kuptuar se çfarë do të thotë kjo ndeshje, pasi kam folur me shokët e skuadrës, por edhe nga pritshmëritë e tifozëve”, – ka deklaruar Shaqiri për mediat italiane.
“Tensioni po rritet, – ka vijuar ai. – Stadiumi do të jetë plot dhe dua të shijoj në maksimum atmosferën e këtij derbi. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe do të kërkojmë ta fitojmë.” I mësuar me Kupat e Evropës te Bajerni i Mynihut, Xherdan Shaqiri i jep recetën Interit, që në këtë sezon është shumë larg pritshmërive, teksa këmbëngul: “Gjithçka është e mundur, por ne duhet të kthejmë Interin në sukseset e dikurshme”.
“Hapi i parë është fitorja në derbi, – ka pohuar ai.- Një sukses do të na jepte një shtysë shumë të rëndësishme për të siguruar një vend në Evropë sezonin e ardhshëm.” Shaqiri ka kaluar problemet fizike dhe është gati të luajë derbin e parë, që pas transferimit të tij te Interi.
Sulmuesi është grumbulluar nga trajneri Roberto Mançini, i cili mund ta hedhë në fushë që nga minuta e parë kundër Milanit.