AlbanianSport.com 17.04.2015 13:20
ASNN – Kampionia në fuqi dhe skuadra që i ka dhënë tonin këtij sporti në dhjetëvjeçarin e fundit, Barleti Volej, duket se nuk po njeh rivalë në volejbollin e femrave. Ekipi i drejtuar nga trajneri Hasan Gurabardhi konfirmohet si e pathyeshme teksa vijon marshimin drejt titullit të dytë “kampion” radhazi.
Në finalen e dytë të luajtur të mërkurën në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, vajzat e universitetit privat fitojnë sërish me shifrat 3-0 kundër Tiranës dhe të shtunën kanë mundësinë më të mirë për të festuar titullin në finalen e tretë që do të luhet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Por, përkundër fitores, në përfundim të takimit, trajneri i Barleti Volej, Hasan Gurabardhi, nuk ka qenë aspak i kënaqur për fitoren, duke deklaruar për mediat: “Kjo ishte ndeshja më e dobët e gjithë sezonit. Nuk më ka pëlqyer aspak ekipi në parket dhe uroj që të tilla paraqitje mos të përsëriten më.”
“Megjithatë, tani jemi shumë pranë fitimit të titullit “kampion” dhe jam i bindur se në ndeshjen e dytë skuadra do të luajë më mirë, – ka vijuar ai më pas. – Shpresoj që në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” të kurorëzohemi “kampionë” dhe, prandaj, pres një ndeshje shumë të mirë nga ekipi im.”
Seti i parë starton në ekuilibër të plotë, por, përtej paraqitjes së shkëlqyer të Amarilda Prengës për bardheblutë Barleti Voleji fiton 25-23. Edhe seti i dytë është i ngjashëm me të parin, Fagu, Nezaj dhe Baraho janë më të mirat në parket për Barletin, ndërsa Prenga, Thaka dhe Metaj i kundërpërgjigjen.
Por ekipi i Gurabardhit më pas nuk i jep më shumë mundësi kundërshtarit duke fituar setin me shifrat 25-22. Tirana vuan përmbysjen dhe në setin e tretë nuk është aq agresive në parket. Ekipi i Gorenxës ndalet edhe një herë tjetër në momentin e saj më të mirë duke iu dorëzuar për të tretën herë kundërshtarit, që fiton me shifrat 25-21 edhe setin e fundit.