AlbanianSport.com 16.04.2015 20:25
ASNN – Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, do të mbërrijë nesër në Kosovë për të vizituar anëtarin më të ri të familjes olimpike ndërkombëtare. Sipas mediave të Prishtinës, të cilat kanë cituar Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, i cili, në një konferencë për shtyp të dhënë sot, ka bërë të ditur se kryetari i IOC-së së bashku me një delegacion të gjerë, do të jetë në Kosovë, të premten dhe të shtunën.
“Lëvizja Olimpik në Kosovë dhe qytetarët e Kosovës nesër presin një njeri të cilin lëvizja botërore olimpike e konsideron si njeriun më të madh dhe unë konsideroj se kjo është vizita më e rëndësishme në histori të sportit të Kosovës, – ka deklaruar kreu i lëvizjes olimpike kosovare. – Në Kosovë po vjen presidenti i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach me ekipin e tij dhe ata më këtë rast duan të vizitojnë Komitetin Olimpik të Kosovës, anëtarin e tyre më të ri.
“Ata vijnë për te parë se si është organizuar Komiteti Olimpik, për të parë statusin e Komiteti Olimpik në shoqërinë kosovare, për tu takuar jo vetëm me presidenten e shtetit, kryeministrin, ministrin për sport, por ata duan t’i takojnë edhe përfaqësuesit e federatave, ata duan t’i takojnë edhe sportistët që ka Kosova, e në veçanti Shpresat Olimpike që ka Kosova për “Rio 2016”, por edhe të rinj tjetër që ne i konsiderojmë shpresa olimpike që janë nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, normalisht do të takohen edhe më përfaqësues të federatave dhe sponsorët”, – ka përfunduar Hasani.