Gjergj Vyshka 16.04.2015 19:35
Talenti i Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, Rei Manaj, po kthehet në kryefjalë në merkaton italiane. Që prej disa javësh në gjurmët e sulmuesit të Kremonezes janë vënë disa prej klubeve më të mëdha të gadishullit Apenin. Me 23 ndeshje zyrtare dhe 2 gola të shënuar këtë sezon, Manaj ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve, të cilët kanë ndjekur disa ndeshje të tij në Kategorinë e Tretë, atje ku militon Kremoneze.
Lacio fillimisht, por edhe Juventusi më pas, shfaqën dëshirën për ta afruar në skuadrat e tyre të sistemit “zinxhir”. Por tashmë në garë ka hyrë edhe klubi i Interit. Sipas informacioneve që vijnë nga vendi fqinj, zikaltërit kërkojnë ta kanalizojnë çështjen në rrugë zyrtare për ta mbyllur sa më shpejt transferimin e tij në Milano. Në lidhje me situatën aktuale ka folur edhe drejtori sportiv i Kremonezes, Stefano Xhiamarioli.
“Nga informacionet që kam, Interi po e vëzhgon prej shumë muajsh, por nuk kanë munguar as klubet e tjera. Gjithsesi për momentin nuk kemi hyrë në bisedime me asnjë skuadër, madje mund të konfirmoj se nuk kemi marrë as oferta. Rei ka një kontratë që e lidh me ne deri në vitin 2017l. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, – ka përfunduar numri 2 i skuadrës që militon në Lega Pro.