AlbanianSport.com 16.04.2015 17:05
ASNN – Është luajtur dje në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ndeshja e parë e finales së “play off”-it të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit dhe kampionia në fuqi, Flamurtari, mori një fitore të merituar 66-73 kundër Apolonisë. Fieraket luajtën më mirë se vlonjatet vetëm në minutat e para, kur falë befasisë dhe saktësisë në aksionet sulmuese vendosën epërsinë fillestare në 17-10.
Por, në minutat e mbetura të pjesës së parë të takimit, nënkampionet nuk mbajnë dot të njëjtin ritëm loje dhe, për pasojë, i japin mundësi Flamurtarit të rikuperojë pikë dhe ta mbyllë këtë fraksion loje në disavantazhin 15-17. Pjesa e dytë nis vrullshëm për vlonjatet, të cilat me futjen në lojë të Elektra Zykajt kanë tjetër ritëm. Madje, është pikërisht kjo e fundit, e cila, falë një 3-pikëshi i mundëson Flamurtarit kalimin për herë të parë në epërsi (17-20).
Nga ana tjetër, Apolonia gabon në mbulimet një për një të lojtareve vlonjate, duke u dhënë mundësi atyre që në disa raste të shënojnë me shumë lehtësi. Kështu, skuadrat i drejtohen pushimit me epërsinë e mikeshave me shifrat 38-31. Në pjesën e tretë, për Apoloninë futet në lojë amerikania Lov, e cila prapëseprapë nuk sjell impaktin e pritur në lojën e fierakeve.
Me 11 pikë epërsi (41-52) të Flamurtarit mbyllet edhe pjesa e tretë. Në 10- minutëshin e fundit, Apolonia kërkon të përmbysë disavantazhin dhe futet me shumë grintë në parket, por është e pafuqishme kundër formacionit të Toskës që administron mirë çdo sekondë dhe e mbyll takimin 66-73.