Gjergj Vyshka.net 16.04.2015 07:05
Trajneri i kombëtares shqiptare, italiani Xhovani De Biazi, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dje kanë udhëtuar drejt Gjenevës për të marrë pjesë në seancën e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
E që andej, teksa me ta do të bashkohet dhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, do të shkohet drejt Lozanës, atje ku të premten dëgjohet pala shqiptare, që pretendon se ka marrë avokatë të mirë për këtë çështje.
Dhe gjithçka ka ardhur pas vendimit anormal të Komisionit të Disiplinës të UEFA-s, i cili i dha trepikëshin Serbisë, kurse kësaj të fundit i hoqi tre pikë. Jo vetëm kaq, por të njëjtin mendim mbështeti dhe Apeli.
Dhe tashmë shqiptarët kërkojnë drejtësinë e munguar në Lozanë. Në fakt, seriali i gjykimeve nis sot me dëgjimin e palës serbe, ndërsa të premten është radha e asaj shqiptare.
Ndoshta do të mund të vonohet dënimi, por apeli i De Biazit dhe ajo që presin shqiptarët është dhënia e trepikëshit të munguar.