AlbanianSport.com 14.04.2015 16:50
ASNN – Flamurtari dhe Apolonia do të përballen sot në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës, në finalen e parë në basketboll për femra dhe, së bashku me skuadrën e trajnerit Viron Toska, ka udhëtuar edhe një nga lojtaret e rëndësishme Elektra Zykaj, e cila u dëmtua në ndeshjen e Tiranës. “Kam kaluar një situatë të vështirë në ndeshjen e Tiranës, ku u dëmtova në kavilje dhe nuk kam qenë në gjendjen time optimale fizike për të përballuar ndeshjen ndaj Apolonisë, – ka rrëfyer basketbollistja e talentuar, duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
“Sidoqoftë, jam hëpërhë në formën më të mirë dhe e rikuperuar plotësisht falë terapisë intensive që ka bërë mjeku fizioterapist Ervin Kapaj, të cilin e falënderoj unë dhe trajneri ynë Viron Toska”, – ka shtuar Zykaj, e cila, në vijim, e ka vlerësuar Apoloninë si një kundërshtar potencial dhe që luan një lojë të shpejt dhe efikase. “Apolonia është një ekip i investuar mirë dhe me elementë cilësorë, – ka theksuar ajo për të përditshmen sportive në fjalë. – Megjithatë, ne jemi Flamurtari dhe nuk trembemi nga asnjë rival. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin nga kjo ndeshje.”
“Nëse kthejmë kokën mbrapa do të vlerësoja fitoren ndaj një skuadre si Tirana, e cila në përbërjen e saj në ndeshjet e fundit ndaj nesh kishte në gjirin e saj lojtare të cilat janë aktivizuar në kampionate elite në arenën ndërkombëtare, – ka kujtuar Zykaj. – Pavarësisht se ndeshja ishte me shumë rivalitet dhe hera-herës me shkëputje të ndjeshme të pikëve, ne arritëm ta mposhtnim kundërshtarin. Këto ditë kemi marrë masat për të korrigjuar gabimet si në fazën ofensive edhe në mbrojtje. Ndaj Apolonisë jam e bindur se do të gabojmë pak dhe do të arrijmë të fitojmë.”