AlbanianSport.com 14.04.2015 15:45
ASNN – Ndeshja e dytë finale e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, midis Tiranës dhe Studentit, ka nisur e ekuilibruar dhe shkon pikë më pikë. Pas barazimit të parë 5-5, bardheblutë shkëputen 9- 6. Por “heronjtë” e djeshëm për Studentin, Damjanov, Vuldiev, Gorenxa e kapiteni Çali mbajnë gjallë shpresat dhe rikuperojnë në 9-8. Është po Vuldiev që barazon shifrat 9- 9. Megjithatë, furia e kampionëve nuk njeh limite, siç është blloku Çali-Rreshketa që “neutralizon” sulmin e Stepashkinit dhe kalon Studentin në epërsi 10- 9.
Vendësit nuk dorëzohen dhe bëjnë rrokadën në rezultat me Ferhatin dhe Xhijën, ky i fundit direkt nga shërbimi. Medenica për bardheblutë shpërdoron nga shërbimi dhe rivalët kalojnë sërish përpara në pikë 17-15. Stepashkin është në hije dhe loja e tij jo bindëse detyron trajnerin Sako ta zëvendësojë me Andi Lundrën. Numri një i Tiranës finalizon nga shërbimi dhe Tirana kërcënon me barazimin 22-22. Kjo rënie e të tijve bën që trajneri Tomorri të kërkojë pushim. Tirana udhëheq 25-24 me Medenicën, për ta fituar setin 29-27.
Me gjithë epërsinë e krijuar, Tirana nuk arrin të ruajë të njëjtin marsh në setin e dytë. Studenti gjen forcat dhe kryeson 10- 8, 14-11, 21-18 falë edhe Rreshketës e Konës, edhe ky përcaktues në finalen e djeshme. Një protestë e Kasës nga pankina për gjykimin e penalizon me karton të kuq, por nuk ndikon në moralin e skuadrës që përfiton edhe nga rivali inekzistent në topin e parë. Çali bën mrekullinë në fund me kthimin e topit në rënie e sipër dhe Studenti e mbyll setin 25-21. Tirana humb qetësinë në fillimin e setit të tretë dhe kjo reflektohet me kartonin e dytë të kuq, kësaj here për Pepën.
Edhe ky ka pretendime për gjykimin. Studenti shënon 4 pikët e para. Ferhati nuk është në ditën e tij më të mirë dhe i lë vendin Xhabrahimit. Por tensioni nuk ka fund. Sërish pretendime për gjykimin dhe karton i kuq për trajnerin Sako. Ndërkohë që kampionët thellojnë avantazhin 7- 2, 9-3, 11-5. Bardheblutë ia dalin të rikthehen duke e ngushtuar diferencën në vetëm 3 pikë 20-17, nga 19- 13 që ishte avantazhi i mëparshëm. Por presioni i vendësve ndalet këtu, pasi Studenti di ta menaxhojë lojën dhe e fiton setin e tretë 25-18 për të kaluar në avantazh 2-1.
Tirana e nis më mirë setin e katërt dhe udhëheq 4- 0, 9-5, por Studenti i afrohet për të barazuar 12-12 me Malajn. Çali përmbys 13-12 dhe më pas vjen pikiata e rivalëve 12-16, 15-20, 16-21. Ferhati dhe Andi Lundra japin shkëndija, por të pamjaftueshme për mrekullinë përballë një super-Damyanov apo edhe lojës shumë të mirë të Qerraxhijës. Studenti e mbyll edhe setin e katërt në favor 25-16 dhe krejt ndeshjen 3-1. Tashmë festa është legjitime për volejbollistët e Studentit.