Gjergj Vyshka 14.04.2015 17:30
Një i ftuar special zbarkoi të hënën në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i klubit italian të Hellas Veronës, Mauricio Seti, i cili ndodhet në vendin tonë, zhvilloi një takim me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe krerët më të lartë të këtij institucioni. Fillimisht ai u ndal në muzeun e Federatës dhe më pas sqaroi qëllimin e vizitës së tij.
“Është një vizitë kortezie, por edhe vizitë pune, – ka deklaruar Seti. – Është hera e parë që vij në Shqipëri. Falënderoj presidentin për pritjen e ngrohtë. Shqipëria është një vend që premton shumë në futboll, prandaj unë jam këtu për të kuptuar pak më shumë rreth vendit dhe futbollit tuaj”. Në vijim, Seti bëri një koment edhe për zhvillimin e futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit.
“Lojtarët shqiptarë janë të përgatitur, kanë karakter dhe unë që vij nga Karpi kam një shembull, – ka deklaruar italiani. – Ai është Memushaj, një lojtar me shumë grintë prandaj mund të them se në Itali ka hapësira për lojtarët e mirë shqiptarë”. 52-vjeçari la gjithashtu të hapur mundësinë e krijimit të një akademie të futbollit të klubit të tij në vendin tonë.
“Ne po punojmë për shumë akademi në Itali dhe besoj se në të ardhmen mund të nisim një bashkëpunim por për këtë do të flasim me federatën. Shqipëria nuk është shuma larg Italisë dhe menaxhimi mund të jetë i lehtë, por e theksoj që kjo është një mundësi që do ta konsiderojmë në të ardhmen”, – ka përfunduar Presidenti i klubit italian të Hellas Veronës, Mauricio Seti.