Gjergj Vyshka 14.04.2015 15:20
Laçi konfirmohet si “macja e zezë” e skuadrave pretendente për titullin në Kategorinë Superiore, sepse pas Skënderbeut, ndali edhe Kukësin në një barazim 0-0. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, vajtoi rastet e shkuar dëm, si dhe gjykimin. “Jo nuk është e vërtetë që skuadra dha sinjale që nuk është e gatshme”, – ka deklaruar ai.
“Por ky është futbolli kur do trepikëshin e nuk e arrin qëllimin, – ka vijuar trajneri shqiptar nga Maqedonia. – Ndaj Laçit sulmuam për 95 minuta por nuk patëm saktësinë e duhur në finalizim. Nuk dua të flas për gjyqtarin, por disa vendime të tij ishin jo në favorin tonë.” Ndërsa trajneri i Laçit, Armando Cungu, mohoi se skuadra e tij kishte ardhur me mision për të dëmtuar vendasit.
“Unë nuk jam nisur për t’i prishur punë asnjë ekipi aq më tepër Kukësit, – ka theksuar shkodrani i stolit kurbinas. – Unë kam pasur gjithmonë respekt për këtë ekip dhe për këtë qytet i falënderoj me gjithë zemër tifozët e Kukësit, por ky është futbolli, sot je pjesë e një skuadre nesër mund të jesh pjesë e një tjetre. Nuk ishte aspak e lehtë për ne pasi mungesat bënë të vetën.”
“Kukësi është një skuadër pretendente dhe na i vështirësoi shumë gjërat por barazimi ishte një rezultat i mirë për ne”, – ka përfunduar Cungu. Në fakt, në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, sfida nisi me Kukësin më këmbëngulës. Në minutën e 9-të provoi Dushku me kokë, por asnjë problem për Moçkën. Katër minuta më pas ishte Lushtaku që kishte një mundësi të mirë, por nuk u koordinua siç duhet në goditje.
Edhe gjatë minutave në vazhdim u luajt vetëm në gjysmëfushën e Laçit. Në minutën e 20-të, provoi edhe Pejiç, por as sulmuesi kroat nuk arriti të godiste saktë me kokë. Në minutën e 29-të u regjistrua një tjetër tentativë e Kukësit nga distanca, këtë herë provoi Zeqiri, por goditja e tij ishte krejtësisht e pasaktë. Tre minuta më pas u shënua edhe rasti më i mirë për Kukësin në pjesën e parë.
Pasim perfekt i Lushtakut për Pejiç, por goditja e sulmuesit kroat përfundoi paksa mbi traversë. Në të 53-tën minutë provoi edhe braziliani Xheferson me një goditje nga një distancë e largët, por pa rrezik për portën e Moçkës. Ritmi i lojës ra disi gjatë minutave në vazhdim. Sidoqoftë, në minutën e 66-të u regjistrua edhe rasti më i pastër për skuadrën vendase.
Pejiç, pasi kontrolloi shumë mirë një top midis disa lojtarëve të Laçit, ftoi në gjuajtje Yll Hoxhën, por goditja e fuqishme e lojtarit të verilindorëve mori përgjigjen fantastike të Shpëtim Moçkës, që e dërgoi topin në këndore. Vetëm pak sekonda më vonë Kukësi pretendoi për një 11-metërshi, pas një kontakti të Yll Hoxhës me Olsi Teqjan, por kryesori Bardhyl Pashaj lejoi vazhdimin e lojës.
Në të 70-tën minutë, pretendimet për 11-metërsh kaluan në krahun tjetër, teksa Laçi kërkoi një goditje nga pika e bardhë, për një prekje të pretenduar me dorë të Edon Hasanit, por vendimi i gjyqtarit Pashajt për të vijuar lojën mori edhe kundërshtimin e Armando Cungut nga stoli. Deri në përfundim asgjë për të regjistruar dhe më pas 0-0 dhe nga një pikë që zbret Kukësin nga vendi i parë.