AlbanianSport.com 13.04.2015 17:55
ASNN – Pas 3 ndeshjeve të luajtura të dielën, të hënën pasdite është luajtur një ndeshje të tjetër e javës së 30-të dhe Kukësi ka barazuar pa gola me Laçin, duke rrezikuar kreun e renditjes në pritje të ndeshjes së mbrëmjes midis Skënderbeut dhe Partizanit. Ka dështuar hakmarrja e skuadrës së Artim Shaqirit ndaj kurbinasve, të cilët pa frikë mund të thuhet se janë shndërruar në një makth për skuadrat që pretendojnë titullin kampion. Kanë ndaluar Skënderbeun, Tiranën dhe sot radhën e kishte Kukësi.
Në stadiumin “Zeqir Ymeri” të tejmbushur, ka munguar goli. Miqtë janë mbrojtur me shumë forca, ndërsa kuksianët nuk kanë ditur të finalizojnë edhe ato raste që krijuan para portës së Shpëtim Moçkës. Kukësi vinte në këtë takim me një mungesë surprizë, siç ishte ajo e portierit Argent Halili, ndërsa nga ana tjetër, Armando Cungu duhet të bënte pa 5 lojtarë shumë të rëndësishëm. E megjithatë, Laçi rezistoi 95 minuta, duke marrë një pikë të merituar që ndoshta do ta “qajë” shumë Kukësi.
Ndërkaq, Gentian Muça mundi i vetëm Vllazninë 2-1 në takimin e zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe ka rikthyer Tiranën përkohësisht në vendin e tretë në renditje. Mbrojtësi 27-vjeçar me dy golat e tij përmbysi rezultatin dhe prishi planet e shkodranëve, të cilët pas supergolit të Çinarit në pjesën e parë shpresonin të dilnin të fituar ose të paktën me pikë nga kryeqyteti.
Në takimet e zhvilluara pasdreke, Apolonia mundi 2-1 në “Loni Papuçiu” Flamurtarin dhe vazhdon të shpresojë të paktën matematikisht, edhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë Superiore. Fierakët kaluan të parët në epërsi me Andi Ribajn, por gëzimi i tyre zgjati vetëm 6 minuta, pasi Bregu barazoi shifrat. Atëherë kur të gjithë mendonin se kjo sfidë do të përfundonte në barazim, 18-vjeçari Fili shënoi golin e fitores për Apoloninë.
Kjo e fundit tashmë është ngjitur në kuotën e 19 pikëve. Megjithëse me vështirësi, e ka mbyllur me fitore këtë fundjavë edhe Teuta, e cila mposhti 1-0 Elbasanin, falë golit të Hysenit në pjesën e dytë. Java e 30-të e Kategorisë Superiore do të mbyllet sot me ndeshjen e fundit dhe më të rëndësishme, Skënderbeu-Partizani. Pas ndeshjes së të dielës, Kukësi vazhdon të kryesojë me 62 pikë, dy më tepër sesa Skënderbeu dhe Tirana dhe 3 më tepër sesa Partizani.
Kategoria Superiore
Java e 30-të
Të dielën, 12 prill 2015:
APOLONIA – FLAMURTARI 2-1
Shënues: Ribaj 13’, Fili 87’, Bregu 78’
Stadiumi “Loni Papuçiu”, Fier
TEUTA – ELBASANI 1-0
Shënues: Hyseni 74’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
TIRANA – VLLAZNIA 2-1
Shënues: G. Muça 62’, 74’ / Çinari 34’
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
Të hënën, 13 prill 2015:
KUKËSI – LAÇI 0-0
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës
SKËNDERBEU – PARTIZANI (18:00)
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Kukësi 30 19 5 6 47-20 62
- Skënderbeu 29 18 6 5 43-14 60
- Tirana 30 18 6 6 39-20 60
- Partizani 29 18 5 6 31-16 59
- Laçi 30 15 9 6 36-16 54
- Flamurtari 30 9 7 14 24-28 34
- Vllaznia 30 11 3 16 25-33 33
- Teuta 30 8 2 20 26-44 26
- Apolonia 30 5 4 21 11-47 19
- Elbasani 30 4 1 25 15-59 13